GRUPI I BANKËS BOTËRORE Financuar nga Bashkimi Europian Ndërprerja e Ciklit të Përjashtimit të Romëve në Ballkanin Perëndimor Përmbledhje Ekzekutive ©2019, Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim / Banka Botërore 1818 H Street NW, Washington, DC 20433 Telefon: 202-473-1000 Internet: www.worldbank.org Ky material është produkt i punës së stafit të Bankës Botërore me kontribute të jashtme. Gjetjet, interpretimet dhe përfundimet e shprehura në këtë material jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e Bankës Botërore, të Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë, apo të qeverive që ata përfaqësojnë. Ky botim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e stafit të Bankës Botërore dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Europian. Për Bashkimin Europian, përcaktimi i Kosovës nuk paragjykon qëndrimet mbi statusin dhe është në përputhje me mendimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara (UNSCR) dhe të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Banka Botërore nuk garanton saktësinë e të dhënave të përfshira në këtë material. Kufijtë, ngjyrat, emërtimet dhe informacione të tjera të paraqitura në secilën nga hartat e përdorura në këtë material nuk nënkuptojnë mendimin dhe gjykimin e e Bankës Botërore në lidhje me statusin ligjor të secilit prej territoreve ose miratimin apo pranimin e kufijve të tillë. Të drejtat dhe autorizimet Materiali në këtë vepër i nënshtrohet rregullave të së drejtës së autorit. Meqenëse Banka Botërore inkurajon shpërndarjen e informacionit të paraqitur në të, ky material mund të riprodhohet, i plotë ose pjesërisht, për qëllime jo-komerciale për sa kohë përmendet dhe njihet plotësisht autorësia e tij. Çdo pyetje në lidhje me të drejtat dhe licencat, duke përfshirë edhe të drejtat subsidiare, duhet t'i drejtohet World Bank Publications, The World Bank Group, 1818 H Street NW, Washington, DC 20433, USA; fax: 202-522-2625; e-mail: pubrights@worldbank.org. Fotoja e kopertinës: Jutta Benzenberg NDËRPRERJA E CIKLIT TË PËRJASHTIMIT TË ROMËVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR Përmbledhje ekzekutive Romët janë pakica më e madhe etnike në Europë, si dhe një nga grupet më të privuara dhe të përjashtuara nga shoqëria; zakonisht ata kanë qasje të kufizuar tek shërbimet bazë dhe mundësitë ekonomike. Megjithëse në Ballkanin Perëndimor nuk ekzistojnë të dhëna të besueshme për popullsinë rome, vlerësimet e bëra flasin për një përqindje të popullsive kombëtare të përfaqësuara nga romët e cila varion nga 1.7 për qind në Bosnje dhe Herzegovinë dhe 9.6 për qind në Maqedoninë e Veriut. Romët kanë qasje mjaft të kufizuar tek arsimi, mundësitë ekonomike, kujdesi shëndetësor, strehimi dhe shërbimet thelbësore, si edhe tek dokumentacioni madje krahasuar edhe me fqinjët e tyre jo-romë që jetojnë në një distancë të afërt me ta. Megjithatë, përfshirja e romëve nuk është vetëm një detyrim moral; plakja demografike në Europë nënkupton që ky fenomen është edhe smart economics (qasje që e përcakton barazinë gjinore si një pjesë përbërëse të zhvillimit ekonomik). Përfitimet nga përfshirja e romëve nuk janë të papërfillshme dhe përfshijnë fitimet në produktivitet të shoqëruara me normat më të larta të punësimit dhe të ardhurat e krahut të punës, dhe përfshijnë përfitime fiskale nëpërmjet të ardhurave më të mëdha tatimore dhe shpenzimeve më të ulëta për ndihmën sociale. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në shoqëritë në plakje, sepse thithja e romëve në forcën e punës mund të ndihmojë për të neutralizuar rënien e numrit të popullsisë në moshë pune. Romët janë popullsi e re në moshë, dhe kjo rritje në numrin e të rinjve mund të shndërrohet në një dividend demografik përmes investimeve të duhura në arsim dhe shërbime bazë. Pa investimet shtesë, qeveritë do të humbisnin një nga mundësitë që do të ndikonte në faktorin demografik. Për shkak të mungesës së të dhënave cilësore, hulumtimi mbi përfshirjen e romëve për të informuar politikat e bazuara në të dhëna dhe dëshmi është i pakët dhe për programet e zbatuara në Ballkanin Perëndimor nevojiten të dhëna të sakta. Në përgjithësi përkatësia etnike nuk përfshihet si temë në sondazhet e familjes që kanë një mostër përfaqësuese në rang kombëtar, dhe të dhënat administrative zakonisht nuk janë të ndara sipas përkatësisë etnike. Në disa raste vetë romët nuk kanë dëshirë të identifikohen si të tillë. Si rezultat, regjistrimi i popullsisë në përgjithësi përballet me nënregjistrim dhe anketat e familjeve me nënkampionim. Ky raport ka për qëllim të kompensojë mungesën e njohurive dhe të informojë politikëbërjen duke u bazuar tek të dhënat e nxjerra gjatë dy raundeve të Anketës Rajonale të Romëve (ARR) në vitin 2011 dhe 2017, anketa më gjithëpërfshirëse që është kryer deri më sot për kushtet e jetesës dhe rezultatet e zhvillimit njerëzor në rradhët e familjeve të margjinalizuara rome në Ballkanin Perëndimor, si dhe të familjeve jo-rome që jetojnë pranë tyre. Raundi i parë i ARR-së i cili u zhvillua në vitin 2011, dhe i zbatuar në 12 vende të Europës Qendrore dhe Lindore, përfshirë edhe pesë vende të Ballkanit Perëndimor, është një anketë e familjeve e cila mbulon shumë tema dhe bazohet në një mostër përfaqësuese të komuniteteve në të cilat përqindja e romëve është më e madhe sesa përqindja e romëve në popullatën kombëtare. 1 Ajo përfshin si popullatën rome ashtu dhe fqinjët jo-romë. Pas zbatimit të valës së parë të ARR-së në vitin 2011, Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Europian (KE) për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin (DG NEAR) , në përpjekje për të shqyrtuar ndryshimet në rezultatet thelbësore të zhvillimit midis romëve dhe jo-romëve të margjinalizuar që jetonin aty pranë, e autorizoi Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Bankën Botërore 1 Pesë vendet e Ballkanit Perëndimor ishin Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia. 1 NDËRPRERJA E CIKLIT TË PËRJASHTIMIT TË ROMËVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR për të kryer, në vitin 2017, edhe një raund tjetër të ARR -së në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në të dy fazat e ARR-së, korniza e kampionit përfshinte komunitetet ku përqindja e popullsisë rome ishte më e madhe se pjesa e romëve në popullatën kombëtare, të referuar si romët e margjinalizuar. Në raundin e vitit 2011, kampioni ishte i kufizuar vetëm tek romët që jetojnë në zona në të cilat përqendrimi i romëve është më i madh se 40 përqind; në raundin e vitit 2017 u përfshinë edhe zonat me përqendrim të romëve në masën 10 deri në 40 përqind. Në të dyja fazat, u intervistuan edhe persona jo-romë që jetonin në një distancë të afërt fizike me romët e kampionuar; duke iu referuar si "jo-romë", ata nuk janë përfaqësues për popullatën kombëtare në secilin prej vendeve. 2 Kosova nuk u përfshi në raundin e parë, dhe u bë pjesë e anketimit pikërisht në këtë kohë. Hulumtimi paralel cilësor i kryer nga Banka Botërore, në bashkëpunim me Institutin e Etnografisë në Serbi, na ndihmon për të kuptuar edhe mekanizmat themelorë që janë edhe shkaku i hendekut midis romëve dhe jo- romëve në arsim dhe në tregjet e punës, duke i kushtuar vëmendje të veçantë gjinisë. 3 Rezultatet tregojnë se romët e margjinalizuar në Ballkanin Perëndimor nuk kanë të ardhurat dhe pasuritë që u nevojiten, as aftësinë për të përdorur pasuritë që kanë në mënyrë efikase dhe intensive për të gjeneruar përfitime ekonomike dhe për të bërë përpara në aspektin social-ekonomik. Romët ndeshen me pengesa dhe kufizime të shumta që e pengojnë mundësinë e tyre për të grumbulluar kapital njerëzor, për të marrë pjesë në tregun e punës në kushte të barabarta dhe për të gjeneruar përfitime ekonomike. Stoku dhe akumulimi i pamjaftueshëm i kapitalit njerëzor, fizik, financiar dhe shoqëror e kanë vështirësuar mundësinë e familjeve rome për të gjeneruar të ardhura gjatë ciklit të jetës. Romët e margjinalizuar nuk janë edhe aq të pasur; kthimet e investimit në arsim mes tyre janë të ulëta; dhe aftësia e tyre për të grumbulluar pasuri është e kufizuar. Edhe angazhimi i dobët në tregun e punës është një fenomen i vazhdueshëm në rradhët e tyre dhe nuk ka patur përmirësim; kështu, mundësia e tyre për të gjeneruar të ardhura nga puna është e ngushtë. Një krahasim i të dhënave të ARR-ve të kryera në vitin 2011 dhe 2017 dëshmon se ka patur shumë pak përmirësim sa i takon përfshirjes së romëve gjatë periudhës kohore të shtrirë midis dy raundeve të anketimit në pesë fushat prioritare të identifikuara nga DG NEAR si: arsimi, tregjet e punës, shëndetësia, strehimi dhe shërbimet thelbësore, si edhe dokumentacioni. Ky raport bazohet në të dy raundet e ARR-së të zhvilluara përkatësisht në vitin 2011 dhe 2017 dhe në punën cilësore me romët për të identifikuar pengesat dhe kufizimet kryesore me të cilat përballen ata në pesë fushat prioritare sa i takon aspektit të përfshirjes. Gjetjet së bashku me rekomandimet përkatëse për zbatimin e politikave i gjeni të përmbledhura në vijim. Pesë Fushat Prioritare Arsimi Dimensionet e arsimit të analizuara përgjatë ciklit jetësor janë disa, ku përfshihen regjistrimet në arsimin para-shkollor dhe të detyrueshëm dhe shkalla e përfundimit në arsimin e detyrueshëm, të mesëm dhe atë të lartë. 2Për secilin shtet dhe vit anketimi janë intervistuar anëtarët e rreth 750 familjeve rome dhe 350 familjeve fqinje jo-rome. 3Ky studim cilësor u financua nga Fondacioni Ombrellë për Barazinë Gjinore. Shih Shtojcën A për detaje mbi metodologjinë dhe hartimin e anketës sasiore dhe hulumtimit cilësor. 2 NDËRPRERJA E CIKLIT TË PËRJASHTIMIT TË ROMËVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR Në të gjithë rajonin, shkalla e mbulimit të arsimit në rradhët e romëve është e ngushtë dhe hendeqet etnike janë të gjera. Ndonëse ka pasur disa përmirësime në vitet 2011-2017, dallimet ndërmjet Romëve dhe fqinjëve të tyre jo-Romë mbeten të konsiderueshme, veçanërisht në arsimin e mesëm dhe atë të lartë. Pabarazitë mes romëve dhe jo-romëve bëhen të dukshme që në vitet e para të jetës. Shpenzimet financiare janë cituar si pengesa më e rëndësishme që kufizon regjistrimin në arsimin para-shkollor të fëmijëve romë në Ballkanin Perëndimor. Pra, heqja e tarifave të arsimit parashkollor dhe sigurimi i stimujve të tjerë financiarë mund të inkurajojë regjistrimin e fëmijëve romë më të vegjël në moshë. Megjithëse të gjitha qeveritë, në Planet e tyre Kombëtare të Veprimit për Përfshirjen e Romëve, kanë përfshirë edhe masa për të rritur regjistrimin në arsimin para-shkollor të tyre, përsëri qasja e romëve në arsimin para-shkollor është e ulët dhe nga viti 2011 deri në vitin 2017 ndryshimi ka qenë shumë i vogël. Në vitin 2017, regjistrimi në arsimin para-shkollor nga ana e romëve të margjinalizuar të moshës 3-5 vjeç varionte nga vetëm 3 për qind në Bosnjë dhe Hercegovinë në 33 për qind në Shqipëri. Nxitja më e paktë gjatë fëmijërisë së hershme në shtëpi dhe ekspozimi i kufizuar me gjuhën e shumicës bëjnë që fëmijët romë të jenë edhe më pak të përgatitur kur nisin shkollën fillore. Një numër i madh kujdestarësh thonë se nuk i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë, pasi nuk mund ta përballojnë. Kjo vjen në përputhje me vlerësimet e fundit të ofertës dhe kërkesës në Ballkanin Perëndimor që nxjerrin në pah mungesën e shërbimeve të përballueshme si një pengesë e konsiderueshme për regjistrimin në shkollë. Sigurimi i subvencioneve për kujdesin ndaj fëmijëve ose stimuj të tjerë financiarë për familjet me të ardhura të ulëta mund të ndihmojnë në lehtësimin e këtij problemi. Të dhënat e fundit nga një randomized control trial (një studim në të cilin një numër i caktuar personash në situatë të njëjtë ndahen në dy grupe në mënyrë rastësore për të testuar një ndërhyrje të caktuar) i kryer në 236 vendbanime të varfra në Bullgari tregojnë se heqja e pagesave dhe shpenzimeve për kopshtet ishte strategjia me koston më efektive për të rritur pjesëmarrjen dhe regjistrimin e fëmijëve në kopshte. Arsimi i detyrueshëm nuk është 'barazuesi i madh'; ende ekzistojnë hendeqe të konsiderueshme sa i takon regjistrimeve në shkollat e arsimit të detyrueshëm, kryesisht për shkak të diskriminimit dhe normave kufizuese shoqërore. Në vitin 2017, hendeqet midis romëve dhe fqinjëve të tyre jo-romë sa i takon regjistrimit në arsimin e detyruar shkonin nga 10 pikë përqindje (në Maqedoninë e Veriut) në 29 dhe 31 pikë përqindje (në Malin i Zi dhe Shqipëri), megjithëse regjistrimet në rradhët e fëmijëve romë në të gjitha këto vende pësuan rritje. Në Shqipëri dhe Mal të Zi, në vitin 2017, të paktën një e treta e fëmijëve romë të moshës 7-15 vjeç nuk ishin pjesë e sistemeve shkollore. Në shumicën e vendeve, një përqindje e mirë e hendekut midis romëve dhe fqinjëve të tyre jo-romë nuk mund të shpjegohet në bazë të dallimeve në karakteristikat e vëzhguara, të tilla si demografia dhe karakteristikat e tjera të familjes, duke nënkuptuar që diskriminimi dhe normat shoqërore luajnë një rol të rëndësishëm. Në mesin e romëve, formimi i familjes identifikohet me nivelin e regjistrimit në arsimin e detyrueshëm. Lidhja midis historikut familjar, regjistrimit dhe arritjeve akademike është një faktor thelbësor që çon në pabarazinë e mundësive. Edhe pas kontrollit për të ardhurat, konstatohet se formimi i prindërve - kryesisht niveli arsimor i nënës - lidhet me normën më të lartë të regjistrimit në mesin e nxënësve në moshë për të ndjekur arsimin e detyrueshëm. Nënat më të arsimuara mund të kenë më shumë kontribut në edukimin e fëmijëve të tyre dhe mund të përballen edhe me kufizime më të ulëta sa i takon likuiditetit, edhe pas një kontrolli për të ardhurat e familjes. Kjo do të thotë që ngritja e nivelit arsimor të nënave, përmirësimi i aftësive prindërore 3 NDËRPRERJA E CIKLIT TË PËRJASHTIMIT TË ROMËVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR dhe reduktimi i kufizimeve të likuiditetit midis prindërve më pak të arsimuar duhet të çojnë në një shkallë më të lartë regjistrimi në shkollat e arsimit të detyrueshëm. Shkalla e përfundimit të studimeve në arsimin e detyrueshëm nga të rinjtë romë të moshës 18-21 vjeç është përgjithësisht e ulët dhe hendeqet gjinore janë të mëdha. Shkalla e përfundimit të studimit në arsimin e detyruar varion nga përkatësisht 34 për qind në 70 për qind në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, ndërsa tek fqinjët jo-romë këto norma janë mbi 90 për qind në të gjitha vendet. Në Bosnje dhe Herzegovinë, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, gratë e reja rome të moshës 18-21 vjeç kanë më pak gjasa për të përfunduar arsimin e detyrueshëm sesa të rinjtë romë. Ndër grupmoshat më të mëdha, hendeqet dhe dallimet sa i takon normës së përfundimit të studimeve në arsimin e mesëm dhe atë të lartë në krahasim me fqinjët jo-romë janë edhe më të konsiderueshme; rastet e përfundimit të studimeve në arsimin e lartë nga romët pothuajse mungojnë tërësisht. Në arsimin e mesëm, shifrat e përfundimit të studimeve nga romët e moshës 22-25 vjeç flasin për një gamë të gjerë midis vendeve të ndryshme, nga vetëm 3 përqind në Mal të Zi në 32 përqind në Maqedoninë e Veriut. Nga viti 2011 deri në vitin 2017 është vënë re se ka patur përmirësim sa i takon këtyre përqindjeve vetëm në disa prej vendeve. Në arsimin e lartë, ndryshimi nga viti 2011 në vitin 2017 ka qenë i vogël; përfundimi i studimeve ishte ende larg. Kostot financiare janë një pengesë kryesore për regjistrimin në shkollat e arsimit të detyrueshëm dhe nivelet më të larta të arsimit, por edhe martesa në fëmijëri përbën një tjetër pengesë të rëndësishme për femrat rome. Në të gjithë vendet, rreth gjysma e individëve të moshës 6-24 vjeç të cilët nuk shkojnë në shkollë dhe që kanë përfunduar më së shumti arsimin e detyruar (Klasifikimi Ndërkombëtar i Standardeve të Arsimit [ISCED] 2) raportojnë se nuk e ndjekin shkollën për shkak të faktorëve ekonomikë, më konkretisht, për shkak të kostos së arsimit ose shpenzimeve të tjera që lidhen me të, të tilla si transporti dhe librat. Ndër vajzat dhe gratë e moshës 6-24 vjeç që nuk kanë përfunduar arsimin e detyruar dhe që nuk janë në shkollë, 11 për qind (Bosnje dhe Herzegovinë) dhe rreth një e treta (Maqedonia e Veriut dhe Serbia) raportojnë se arsyeja përse nuk shkojnë në shkollë është sepse janë martuar. Ndër gratë e moshës 20-49 vjeç, ekziston një korrelacion negativ mes martesës në fëmijëri dhe arritjeve e nivelit të ulët arsimor. Distanca që iu duhet të përshkojnë për të arritur në shkollë nuk përbën ndonjë një pengesë të veçantë. Sipas raundit të ARR-së të realizuar në vitin 2017, koha e nevojshme për të arritur në shkollën më të afërt për më shumë se 90 për qind të anëtarëve të familjeve rome që janë në kopësht ose në shkollë fillore është më pak se 15 minuta. Aspiratat e ulëta arsimore në rradhët e romëve duket se përputhen me kthimet më të ulëta të investimit në arsim, por edhe me rrugën e vështirë drejt suksesit dhe mungesën e modeleve. Në të gjitha vendet, shumica e të anketuarve jo-romë - përgjithësisht, më shumë se 70 për qind - thanë se arsimi i lartë është i mjaftueshëm për një fëmijë. Ndërsa sa i takon romëve më pak se 50 përqind e të anketuarve në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi dhe Serbi mendonin kështu. Po kështu, në të gjitha vendet përveç Maqedonisë së Veriut, një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve romë thanë se ISCED 1 dhe 2, domethënë deri në arsimin e mesëm të ulët/ arsimin e detyrueshëm, konsiderohet si arsimim i mjaftueshëm për një fëmijë. Kjo pikëpamje ishte mjaft më e rrallë tek jo-romët. 4 NDËRPRERJA E CIKLIT TË PËRJASHTIMIT TË ROMËVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR Megjithatë, këto ndryshime sa i takon aspiratave nuk janë aq të mëdha sa për të shpjeguar hendeqet e vërejtura etnike në arritjet dhe nivelin arsimor. Për shembull, përqindja e të anketuarve romë, të cilët thanë se arsimi i lartë është i mjaftueshëm, edhe pse më i ulët se përqindja korresponduese e fqinjëve të tyre jo-romë, ishte gjithsesi e konsiderueshme, duke filluar nga pak më shumë se një e katërta në Serbi në rreth 60 përqind në Kosovë. Megjithatë, normat e përfundimit të studimeve në arsimin e lartë në mesin e romëve janë pothuajse zero. Mungesa e besimit tek ofruesit e arsimit ndikon në përdorimin e shërbimeve arsimore. Kjo çështje potencialisht mund të adresohet duke u mbështetur tek ndërmjetësit romë, por duhen marrë parasysh me shumë kujdes edhe sfidat që lidhen me zbatimin. (Ndërmjetësi është një anëtar i respektuar i komunitetit rom që lidh anëtarët e këtij komuniteti me ofruesit e shërbimeve.) Në të gjithë vendet, shumica e nxënësve romë raportojnë se ndjekin shkollat e integruara, ndonëse një pjesë e madhe ende ndjekin shkollat me shumicë rome, me shumë gjasa duke nënkuptuar arsimim me cilësi më të ulët në këto të fundit. Përpjekjet për integrimin e shkollave duhet të marrin në konsideratë sfidat që lidhen me zbatimin, siç është, për shembull, mungesa e sigurisë ose nevoja për të udhëtuar distanca më të gjata për të ndjekur një shkollë të integruar, e cila mund të jetë një pengesë, veçanërisht për vajzat rome. Një pjesë e madhe e fëmijëve romë të moshës 7-15 vjeç në rajon ende ndjekin shkollat me përqendrim të lartë të nxënësve romë. Në vitin 2017, ndër nxënësit e margjinalizuar romë nëpër të gjitha vendet në fjalë, nga 10 përqind (në Serbi) deri në 40 përqind (në Maqedoninë e Veriut) kanë raportuar se ndjekin shkollat ku shumica e nxënësve janë romë. Nga ana tjetër, homologët e tyre jo-romë kishin më pak gjasa për të ndjekur këto shkolla. Republika e Maqedonisë së Veriut dallon nga të tjerat, me një hendek prej 28 pikësh përqindjeje, domethënë vetëm 12 përqind e jo-romëve ndjekin shkollat me shumicë rome. Përpjekjet për integrimin e shkollave duhet të kombinohen me masa aktive kundër diskriminimit, pasi nuk mund të kemi rezultate më të mira në shkollat e integruara nëse diskriminimi është i përhapur. Të dhënat nga ARR na informojnë që, ndryshe nga vendet e tjera si Republika Çeke dhe Republika Sllovake, në Ballkanin Perëndimor fëmijët romë nuk përfaqësohen në mënyrë të pabarabartë në shkollat speciale apo në shkollat për fëmijët me aftësi të kufizuara. Sipas raundit të ARR-së të zhvilluar në vitin 2017, vetëm rreth 1 përqind e romëve të margjinalizuar të moshës 7-15 vjeç në rajon ndiqnin shkollat speciale, ndërkohë që përqindja e fëmijëve jo-romë që ndiqnin shkollat speciale ishte e ngjashme, duke mos shfaqur pabarazi për shkak të përkatësisë etnike. Edhe në vitin 2011 këto përqindje ishin në nivele të ulëta. Megjithatë, këto rezultate mund të kenë rrjedhur nga një nën-raportim i konsiderueshëm. Megjithëse të dhënat për cilësinë e shkollës dhe rezultatet e të nxënit mungojnë, cilësia e arsimit tek nxënësit me prejardhje nga grupet e pafavorizuara në rajon është ende problem, duke nënkuptuar që romët mund të jenë grupi që preken në mënyrë të veçantë. Nxënësit me prejardhje nga grupet e pafavorizuara janë të prirur që të kenë performancë më të keqe. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një përqindje shumë më të vogël të nxënësve të qëndrueshëm pavarësisht kushteve krahasuar me vendet e tjera në Europë. Në Kosovë, vetëm 2.5 për qind e nxënësve me prejardhje nga grupet e pafavorizuara klasifikohen në 15 vendet e para në testet e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve. 5 NDËRPRERJA E CIKLIT TË PËRJASHTIMIT TË ROMËVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR Tregjet e punës Pjesëmarrja e ulët në forcat e punës dhe numri i lartë i rasteve të papunësisë nënkuptojnë që mundësitë për punësimin e romëve në moshë pune janë të pakëta. Romët, sidomos femrat rome, kanë më pak gjasa të marrin pjesë në tregun e punës sesa homologët e tyre jo-romë si edhe kanë më pak gjasa të marrin pjesë në të krahasuar edhe me popullsinë e shumicës. Papunësia është veçanërisht e lartë në radhët e romëve. Në Shqipëri dhe në Bosnje e Hercegovinë, mbi 50 për qind e romëve në moshë pune ekonomikisht aktive janë të papunë. Punësimi i romëve varion nga vetëm 13 përqind në Kosovë në 22 përqind në Maqedoninë e Veriut. Këto janë shifra shumë më të ulëta se normat e punësimit të fqinjëve jo-romë dhe mesatareve kombëtare, të cilat tashmë janë shumë më të ulëta se shkalla mesatare e punësimit në 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian (EU28) prej 67.6 përqind. 4 Të dhënat shprehen qartë në lidhje me vëmendjen e madhe që duhet t'i kushtohet integrimit të romëve në tregun e punës. Sa i takon ofertës, ndihma sociale dhe transfertat ndër-familjare nuk duket se kanë qenë dekurajuese për krahun e punës në rradhët e romëve të margjinalizuar në Ballkanin Perëndimor. Për shkak të mungesës së të dhënave, nuk ka asnjë provë që të vërtetojë efektet dekurajuese të dërgesave nga emigrantët tek aktiviteti ekonomik i romëve. Të dhënat e raundit të dytë të ARR-së të zhvilluar në vitin 2017 nuk flasin për dallime të konsiderueshme në pjesëmarrjen e forcave të punës tek romët që jetojnë në familje që marrin përfitime sociale për fëmijët dhe ndihmë sociale në raport me jo-përfituesit. Shkalla e pasivitetit tek individët që jetojnë në familjet rome që marrin ndihmë financiare ose pagesën për ushqimin krahasuar me familjet e tjera në vend apo jashtë vendit janë më të ulëta në familjet rome që marrin transferta, përveç Bosnjës dhe Hercegovinës. Në disa vende, mbështetja e konsiderueshme me të ardhurat nga remitancat mund të ketë kontribuar në përqindjen e ulët të pjesëmarrjes në forcat e punës dhe në papunësinë e lartë për shkak të ndikimit të mundshëm tek pagat e rezervimit, domethënë, tek paga më e ulët me të cilën një individ do të ishte i gatshëm të pranonte një lloj pune të caktuar. Megjithatë, kjo nuk mund të testohet duke përdorur të dhënat e siguruara nga ARR. Hendeku gjinor sa i takon pjesëmarrjes në forcat e punës në mesin e romëve është i madh. Hendeqet gjinore në pjesëmarrjen në forcat e punës në rradhët e romëve shkojnë nga 23 për qind në Shqipëri në 33 për qind në Kosovë. Në të gjitha vendet, prania e fëmijëve në familje dhe përgjegjësitë familjare janë arsyet kryesore të pasivitetit të femrave, ndërkohë që, tek meshkujt, pasiviteti lind kryesisht për shkak të kërkesës së pamjaftueshme për krah pune. Një pjesë e rëndësishme e hendekut gjinor mbetet e pashpjegueshme pasi kontrolli për karakteristikat individuale dhe familjare nxjerr në pah rolin e rëndësishëm të faktorëve të pavëzhguar, të cilët mund të përfshijnë normat sociale dhe komunitetare, si dhe diskriminimin. Faktorët e mbivendosur që kufizojnë punësimin e romëve janë disa, duke përfshirë mungesën e aftësive dhe përvojës, mungesën e kohës, qasjes tek shërbime (kujdesi për fëmijët dhe kujdesi për të moshuarit), mundësitë e kufizuara për punë fleksibël, qëndrimet negative e të pafavorshme dhe normat shoqërore. Kufizimet ndaj punësimit përbëjnë grupin e parë dhe më të konsiderueshmë të pengesave me të cilat përballen romët. Përveç arritjeve dhe nivelit të ulët arsimor, faktorë të tjerë përfshijnë edhe qasjen e kufizuar tek aftësitë profesionale, duke pasur parasysh mungesën e trajnimeve të romëve në vendin e punës, programet e kufizuara për zhvillimin e sipërmarrjes dhe të ndërmarrjeve sociale dhe mungesën e qasjes tek skemat mikrofinancuese. 4 BE28 është numri aktual i vendeve anëtare të BE-së. 6 NDËRPRERJA E CIKLIT TË PËRJASHTIMIT TË ROMËVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR Mungesa e qasjes tek informacioni dhe rrjetet e tregut të punës dhe kufizimet e tjera sa i takon informacionit mund të ndikojnë në përputhjen e punëkërkuesve romë me vendet e lira të punës, veçanërisht për ata romë që jetojnë në vendbanimet rome. Në punësimin e romëve ndikojnë edhe faktorë të tjerë si legjislacioni i kufizuar i punës, mundësitë e kufizuara për punë fleksibël dhe taksat e larta për krahun e punës për punonjësit me pagë të ulët dhe atyre me kohë të pjesshme. Femrat rome përballen me qëndrime negative dhe të pafavorshme në tregun e punës, pavarësisht se ndajnë aspirata të ngjashme pë punësimin ashtu si edhe homologët e tyre meshkuj. Në Ballkanin Perëndimor ekzistenca dhe përdorimi i qendrave institucionale të kujdesit për fëmijët është në përgjithësi e ulët dhe zgjerimi i shërbimeve cilësore dhe të përballueshme për kujdesin e fëmijëve mund të rrisë pjesëmarrjen e femrave në forcat e punës. Edhe normat shoqërore dhe komunitare janë një pengesë e konsiderueshme, pasi ato i ngarkojnë gratë me veprimtari familjare dhe shërbime kujdestarie dhe e kufizojnë nivelin arsimor të femrave nëpërmjet martesës së tyre që në fëmijëri. Ngushtimi i dallimeve sa i takon kapitalit njerëzor midis romëve dhe jo-romëve mund të mos jetë i mjaftueshëm për të ofruar shance të barabarta në tregun e punës, pasi normat e ndryshme të kthimit të investimit për kapitalin njerëzor flasin për trajtim të pabarabartë. Normat mesatare të kthimit sa i takon shkollimit të romëve variojnë nga 0 në 3.4 përqind, shumë më poshtë se norma e kthimit për homologët e tyre fqinj jo-romë, si edhe krahasuar me mesataren në Europë. Qeveritë duhet të vazhdojnë të investojnë për arsimimin e romëve, por edhe përfshirja e romëve në arsim duhet të jetë një mundësi e mirë për investime. Pra, politikat e arsyeshme që trajtojnë diskriminimin dhe që ndikojnë në normën e kthimit të investimit në shkollim janë thelbësore, si për shembull adresimi i cilësisë së arsimit dhe i kufizimeve financiare. Edhe koha kur duhet të hartohen politikat është po aq e rëndësishme. Kthimi i investimit në shkollim ka filluar të rritet me ritme të ngadalëta, që do të thotë se nëse politikat për të rritur ndjeshëm normat e kthimit të investimit sa i takon shkollimit të romëve fillojnë të ndërmerren tani, mund të duhen shumë vite që romët të arrijnë në të njëjtin nivel me fqinjët e tyre jo-romë. Në një periudhë afatshkurtër, norma e kthimit të investimit në shkollim ndryshon në masë shumë të vogël, me jo më shumë se 2 pikë përqindje për çdo dhjetëvjeçar. Norma më e lartë e kthimit të investimit sa i takon shkollimit të romëve është vënë re në arsimin terciar; prandaj zgjerimi i arsimit të lartë është i rëndësishëm për përmirësimin e rezultateve të tregut të punës për romët. Megjithatë, kjo nuk duhet të ndodhë në kurriz të arsimit fillor dhe të mesëm pasi arsimi fillor është një shërbim themelor dhe qasja në arsimin fillor dhe të mesëm është një parakusht për hyrjen në arsimin e lartë. Përveç trajtimit të pengesave që lidhen me ofertën sa i takon punësueshmërisë, një çështje tjetër që duhet të adresohet është çështja e kufizimeve të kërkesës për krah pune. Nëse hiqen vetëm barrierat që kanë të bëjnë me punëtorët, për shembull, nëpërmjet nivelit në të lartë arsimor, trajnimeve dhe nismave të tjera, por lihen mënjanë kufizimet që kanë të bëjnë me kërkesën, atëherë rezultatet nuk mund të përmirësohen në përputhje me pritshmëritë tona. Masat e duhura mund të përfshijnë sektorin privat për trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me diskriminimin dhe stereotipizimin, duke mbështetur kështu punësimin e romëve nga kompanitë. Kjo mund të përfshijë politika më të gjera favorizuese, subvencionet e pagave dhe punësimit, masa të llojit 'stick or carrot' (masa që kombinojnë shpërblimin me ndëshkimin me qëllim nxitjen e sjelljes së dëshiruar) e kështu me radhë. Edhe fushatat e informimit në rradhët e punëdhënësve do të ishin me shumë dobi. Përveç kërkesave ligjore, punëdhënësit mund të kenë informacion të pamjaftueshëm në lidhje me përfitimet praktike që rrjedhin nga punësimi i një fuqie të ndryshme punëtore. 7 NDËRPRERJA E CIKLIT TË PËRJASHTIMIT TË ROMËVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR Tregu i punës është fusha prioritare që mbetet mbrapa më së shumti, kryesisht për shkak të përkeqësimit të ndjeshëm të pjesëmarrjes në forcat e punës dhe punësimit të romëve në të gjitha vendet, përveç Maqedonisë së Veriut dhe për shkak të mungesës së progresit sa i takon ngushtimit të hendeqeve krahasuar me fqinjët jo- romë. Në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe në Malin i Zi janë vënë re rezultate tejet të ulëta sa i takon punësimit të romëve. Kjo nxjerr në pah nevojën për një agjendë më të gjerë për hapjen e vendeve më të shumta dhe më të mira të punës në të gjithë Ballkanin Perëndimor, por gjithashtu kërkon edhe fokusimin tek nevojat e romëve, grave dhe grupeve vulnerabël si edhe tek pengesat në tregun e punës me të cilat përballen këto grupe, duke përfshirë edhe pengesat e shkaktuara nga diskriminimi dhe normat shoqërore dhe komunitare. Kjo nënkupton (1) identifikimin e politikave dhe ndërhyrjeve që do të hapnin vende pune për romët dhe grupet e tjera të cënueshme, dhe (2) përkrahjen dhe vlerësimin e ndërhyrjeve të shënjestruara në tregun e punës në favor të romëve për të caktuar përparësitë dhe për të zbatuar ndërhyrje të suksesshme, si për shembull eleminimi i pengesave financiare për të nxitur dhe identifikuar si edhe përshkallëzuar edhe ndërhyrje të tjera të suksesshme, përfshirë ndërhyrjet që u drejtohen grave rome, të cilat kanë shumë më pak gjasa sesa fqinjët e tyre jo-romë për të marrë pjesë në tregun e punës apo për t'u punësuar. Shëndetësia Ky seksion analizon një sërë dimensionesh që kanë të bëjnë me shëndetin dhe kujdesin shëndetësor, duke përfshirë gjendjen e vetë-perceptuar shëndetësore, nevojën e paplotësuar për kujdesin shëndetësor, mbulimin me sigurime shëndetësore dhe përdorimin e shërbimeve parandaluese të kujdesit shëndetësor. Nga viti 2011 deri në vitin 2017, në shumicën e vendeve, janë vërejtur shumë pak ndryshime sa i takon mbulimit ose qasjes tek shërbimet shëndetësore, si edhe po kaq pak ndryshim sa i takon pabarazisë. Shëndeti i vetë-perceptuar është më i dobët në mesin e romëve të margjinalizuar sesa në mesin e jo- romëve fqinjë, ndoshta duke nënkuptuar rezultate më të ulëta dhe objektive shëndetësore në mesin e romëve. ARR nuk përfshin rezultatet objektive shëndetësore, por të dhënat e dala nga ARR tregojnë se, megjithëse në të gjitha vendet popullsia rome është më e re në moshë sesa fqinjët e tyre jo-romë, romët ende e perceptojnë gjendjen e tyre shëndetësore mesatare si më të keqe sesa homologët e tyre jo-romë. Në të gjitha vendet, nevoja e paplotësuar për kujdesin mjekësor e raportuar nga vetë ata është e konsiderueshme, dhe përballueshmëria dhe mungesa e sigurimit shëndetësor janë raportuar po nga vetë ata si pengesat e vetme më të konsiderueshme që kontribuojnë tek pabarazitë shëndetësore. Në vendet në të cilat ekzistojnë të dhëna në rang kombëtar, nevojat shëndetësore të paplotësuara variojnë nga vetëm 3 përqind e nevojave të përgjithshme shëndetësore në Maqedoninë e Veriut në 9 përqind në Malin e Zi. Tek romët, pjesa e nevojave të paplotësuara është përgjithësisht më e madhe, duke filluar nga 16 përqind në Maqedoninë e Veriut në 36 përqind në Shqipëri. Në të gjitha vendet, shumica e romëve raportojnë se arsyet për mosplotësimin e nevojës së tyre për kujdes mjekësor janë kostot e larta ose mungesa e sigurimit shëndetësor, arsye këto që raportohen më shumë nga romët sesa nga fqinjët e tyre jo-romë. Ekzistenca e qendrave të kujdesit shëndetësor nuk del si ndonjë pengesë e madhe sa i takon qasjes tek shërbimet e kujdesit shëndetësor. Në të gjitha vendet, shumica dërrmuese e romëve raportojnë se ekziston një qendër e kujdesit shëndetësor në afërsi të tyre. 8 NDËRPRERJA E CIKLIT TË PËRJASHTIMIT TË ROMËVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR Në përputhje me arsyen e përmendur më shpesh në lidhje me nevojat e paplotësuara për kujdes mjekësor, romët kanë më pak gjasa që të kenë sigurim shëndetësor dhe kanë më shumë gjasa të raportojnë se nuk mund të përballojnë blerjen e ilaçeve të nevojshme për anëtarët e familjes. Faktorë të tjerë kryesorë lidhen me mungesën e informacionit, ndryshimet në besimet dhe qëndrimet lidhur me kujdesin shëndetësor dhe diskriminimin, por edhe karakteristikat e vëzhgueshme social-ekonomike janë shkaktare të disa prej hendeqeve sa i takon mbulimit me sigurime shëndetësore. Madhësia e hendekut të mbulimit me sigurime shëndetësore është më e madhe në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Malin e Zi. Mbulimi me sigurime shëndetësore është veçanërisht i ulët në Kosovë, kryesisht pasi nuk ekziston sigurimi i detyrueshëm shëndetësor. Në të gjitha vendet, ndonëse dallimet në karakteristikat individuale dhe familjare ndihmojnë në shpjegimin e një pjese të hendekut në mbulimin me sigurime shëndetësore, një pjesë e rëndësishme përsëri mbetet e pashpjegueshme. Në Mal të Zi, mungesa e qasjes tek kartat e identitetit ndikon tek mundësitë për të përftuar sigurimin shëndetësor në një masë të madhe. Përdorimi i shërbimeve shëndetësore parandaluese nga romët e margjinalizuar është i kufizuar dhe kostoja është gjithmonë arsyeja kryesore që qëndron pas mungesës së qasjes tek këto lloj shërbimesh. Në të gjithë vendet, vetëm 50 përqind e romëve të moshave 16 vjeç e lart raportojnë se kanë përdorur shërbimet e kujdesit parandalues shëndetësor gjatë 12 muajve të shkuar. Kjo përqindje dallon shumë nga shkalla më e lartë e përdorimit të këtyre shërbimeve nga fqinjët jo-romë, që shkon nga 63 përqind në Kosovë në 71 përqind në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi. Sigurimi shëndetësor rrit gjasat për përdorimin e shërbimeve të kujdesit parandalues në të gjitha vendet përveç Kosovës. Strehimi dhe Qasja tek Shërbimet Thelbësore Shumë romë jetojnë në lagje të varfra ose në vendbanime informale tejet të mbipopulluara; sa i takon qasjes tek shërbimet thelbësore, vazhdojnë të mbizotërojnë hendeqet etnike, ndonëse në disa vende janë vërejtur përparime. Rritja e qasjes tek shërbimet, siç është rryma elektrike, furnizimi i banesave me ujë nëpërmjet tubacioneve të ujit, lidhjet me kanalizimet publike të ujërave të zeza dhe grumbullimi i mbeturinave, ka qenë gjithëpërfshirëse në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi, por ende ekzistojnë hendeqe të mëdha dhe disa zona mbeten të pavëzhguara. Mungesa e titullimit të sigurt të tokës në vendbanimet informale kontribuon tek mungesat në strehim dhe shërbime për romët e margjinalizuar. Qasja tek pasuritë e tjera prodhuese, siç për shembull kapitali financiar, është i kufizuar, siç pasqyrohet nga përdorimi i ulët i shërbimeve financiare; edhe të drejtat e pasigurta të pronësisë e kufizojnë përdorimin produktiv të pronave tokësore. Në të gjashtë vendet, krahasuar me fqinjët e tyre jo-romë, një pjesë shumë më e madhe e kryefamiljarëve të familjeve rome raportojnë se nuk përdorin kurrë bankat, bankomatet (ATM) apo zyrat postare. Kjo përkon me mungesën e përgjithshme të qasjes financiare të vërejtur në Ballkanin Perëndimor. Të drejtat e pasigurta të pronësisë kufizojnë përdorimin produktiv të pronave tokësore dhe kufizojnë mundësinë e familjeve rome për të gjeneruar të ardhura. Strehimi jashtë standardit dhe qasja e pamjaftueshme tek shërbimet mund të ndikojnë në akumulimin e kapitalit njerëzor. 9 NDËRPRERJA E CIKLIT TË PËRJASHTIMIT TË ROMËVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR Dokumentacioni Rezultatet e dala nga raundet e këtij studimi flasin për një mbulim të lartë me certifikata lindjeje dhe karta identiteti, por të dhënat cilësore tregojnë se shpesh romët nuk i kanë dokumentet e duhura - siç është vërtetimi i vendbanimit - për të patur mundësinë e qasjes tek shërbimet sociale. Mbulimi me karta identiteti është relativisht i ngushtë në Mal të Zi, gjë e cila mund të ndikojë edhe tek mundësia e romëve për të shfrytëzuar shërbimet dhe përfitimet sociale. Edhe mungesa e dokumentacionit, si çertifikatat e shkollave nga jashtë vendit, është një problem për romët e kthyer nga BE, duke çuar në vonesa në regjistrimin e fëmijëve në sistemin formal arsimor ose të nxënësve në klasa që nuk përputhen me shkollimin e tyre të mëparshëm në BE. Trendet në Qasjen tek Shërbimet dhe Mundësitë Ekonomike dhe Pabarazia Në përgjithësi, arsimi dhe strehimi dalin si fusha prioritare ku janë vënë re arritjet më të mira; në shumicën e vendeve nga viti 2011 deri në vitin 2017 është rritur mbulueshmëria mesatare, edhe pse të dhënat për progresin në çështjet e pabarazisë nuk janë bindëse. 5 Sidoqoftë, në fushat prioritare, arsimi dhe tregjet e punës shfaqin treguesit më të dobët dhe mangësitë më të mëdha. Ndryshimet e bëra sa i takon çështjeve që kanë të bëjnë me mbulimin dhe pabarazinë në shëndetësi kanë qenë të vogla dhe të dhënat për përmirësim ose përkeqësim nuk janë bindëse, ndërsa qasja tek mundësitë ekonomike përmes tregjeve të punës në shumicën e vendeve është përkeqësuar, ku të dhënat mbi pabarazinë në tregjet e punës përgjithësisht janë jobindëse. Të dhënat mbi dokumentacionin janë përgjithësisht jobindëse ose të përziera, megjithëse mbulimi i romëve është përgjithësisht i gjerë. Agjenda e Politikave Qëllimi përfundimtar është që romët të bëhen anëtarë të shëndetshëm dhe produktivë të shoqërisë, dhe të integrohen mirë dhe siç duhet në tregun e punës. Kjo nënkupton një qasje të integruar gjatë gjithë ciklit të jetës që ndihmon në kapërcimin e pengesave që shumë romë i kanë hasur që në fëmijërinë e hershme. Duke pasur parasysh faktorët që kufizojnë përfshirjen e romëve në Ballkanin Perëndimor, në këtë raport janë identifikuar politikat dhe ndërhyrjet që mund të sjellin rezultate të përmirësuara për romët e margjinalizuar. E para është agjenda e të dhënave për shkak se të dhënat e sakta mbi programet e zbatuara në Ballkanin Perëndimor janë të pakta dhe monitorimi dhe vlerësimi i duhur i politikave nuk është i mundur pa të dhënat përkatëse. Më pas shqyrtohen rekomandimet për zbatimin e politikave në pesë fushat prioritare dhe dy temat ndërsektoriale, gjinia dhe diskriminimi. Në vijim përshkruhet edhe nevoja për një qasje të integruar për t'i dhënë fund ciklit të përjashtimit të romëve. Politikëbërja e bazuara në dëshmi e të dhëna është thelbësore nëse politikëbërësit dhe specialistët dëshirojnë të përmirësojnë vendimet e tyre politike dhe menaxhimin e programeve që synojnë përfshirjen e romëve; vlerësimi i bazuar në dëshmi e të dhëna është një mjet kyç për përmirësimin e programeve. Përdorimi i të dhënave, informacionit dhe vlerësimeve për vendimmarrjen nënkupton: (1) Informacioni i saktë duhet të bazohet mbi gjërat që funksionojnë, duke përfshirë kostot dhe përfitimet. Vlerësimi i rreptë mund të 5 Të dhënat konsiderohen si jobindëse nëse ndryshimet nuk janë aq të mëdha sa për të përcaktuar një dallim të konsiderueshëm statistikor midis dy viteve të anketimit. 10 NDËRPRERJA E CIKLIT TË PËRJASHTIMIT TË ROMËVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR përfshijë randomized control trials (një studim në të cilin një numër i caktuar personash në situatë të njëjtë ndahen në dy grupe në mënyrë rastësore për të testuar një ndërhyrje të caktuar) dhe studimet quasi- eksperimentale për të matur impaktin e programit, si dhe një analizë të kostove të politikave për çdo rezultat për të rritur shpërndarjen e burimeve publike. Mungesa e vlerësimit rigoroz nuk do të thotë që programet janë joefektive, por do të thotë që nuk jemi të sigurt në lidhje me impaktin e vërtetë të programit. (2) Monitorimi i zbatimit të programit dhe vlerësimi i impaktit duhet të përdoret për të matur efektivitetin e programit. Ky është çelësi për përgjegjësinë bazë për të siguruar që programet po funksionojnë sipas planit dhe për të identifikuar mundësitë për përmirësim. Nëse mbledhja e të dhënave të duhura të dala nga anketimi është e kushtueshme ose jopraktike, atëherë për të vlerësuar rezultatet e programit mund të shfrytëzohen edhe të dhënat administrative. (3) Përdorimi i të dhënave rigoroze për të përmirësuar programet, për të përshkallëzuar atë që funksionon dhe për t'i devijuar fondet nga programet që rezultojnë joefektive në mënyrë të vazhdueshme. (4) Nxitja e inovacionit dhe testimi i qasjeve të reja. Monitorimi dhe vlerësimi aktual i politikave është i pamjaftueshëm për shkak të mungesës së të dhënave zyrtare të ndara sipas faktorit etnik. Për t'i shënjestruar më efektivisht politikat tek komunitetet e margjinalizuara rome dhe për të vlerësuar impaktet e tyre, qeveritë në Ballkanin Perëndimor duhet të përmirësojnë cilësinë e të dhënave zyrtare për të matur në mënyrë të besueshme pabarazitë etnike. Mungesa e temës së përkatësisë etnike në sondazhin zyrtar dhe në të dhënat administrative e vështirëson mundësinë për të monitoruar efektivisht rezultatet e përfshirjes së romëve. Shumë plane kombëtare të veprimit nuk parashikojnë tregues të performancës, piketa apo burime të dhënash konkrete dhe të matshme, si edhe nuk identifikojnë autoritetet përgjegjëse për monitorimin dhe vlerësimin. Me qëllim monitorimin dhe vlerësimin më efektiv dhe zbatimin efikas të ligjit kundër diskriminimit, KE ka advokuar për mbledhjen e të dhënave të familjes të cilat janë të ndara sipas origjinës etnike të vetëidentifikuar. Megjithatë, kjo paraqet sfida të konsiderueshme. Së pari, shumë romë hezitojnë të vetë- raportojnë përkatësinë e tyre etnike. Për të trajtuar këtë problem, pyetësorët e anketimit duhet të bazohen në raportimin e dyfishtë të përkatësisë etnike, që do të thotë që të anketuarit të kenë mundësi të identifikohen me më shumë se një etni, duke përfshirë edhe pyetjet në gjuhën amtare. Fushatat mobilizuese, të tilla si ato të ndërmarra në Malin e Zi dhe në Serbi për të inkurajuar vetë-raportimin e përkatësisë etnike nga romët, mund të jenë të dobishme në përpjekjen për të zvogëluar nën-raportimin. Sfidat shtesë përfshijnë pengesat politike dhe ligjore dhe ekzistencën e qëndrimeve ndaj implikimeve të privatësisë për mbledhjen e të dhënave të ndara në baza etnike në anketat e ekonomive familjare. Një qasje pragmatike drejt rritjes dhe përmirësimit afatshkurtër të të dhënave zyrtare mund të përqendrohet në përmirësimin e të dhënave administrative, që bazohet në dhënien me dëshirë të informacionit, i cili do të ruhet si informacion privat e konfidencial. Gjithashtu, këto lloj të dhënash mund të shërbejnë si një mjet i dobishëm për monitorimin dhe vlerësimin. Shembuj të të dhënave administrative që mund të mbulojnë përkatësinë etnike përfshijnë sigurimin shoqëror, arsimin, shëndetësinë dhe të dhënat e shërbimit publik të punësimit. Për të përmirësuar besueshmërinë e të dhënave etnike në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë mund të shikohet mundësia e zbatimit të një sërë strategjish të tjera. Të dhënat mbi përkatësinë etnike mund të 11 NDËRPRERJA E CIKLIT TË PËRJASHTIMIT TË ROMËVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR grumbullohen në disa sisteme të dhënash, të mbikampionuara, të grumbulluara përmes anketave periodike të synuara ose të lidhura me burime të shumëfishta të të dhënave duke përdorur metoda indirekte. Diagnostifikimi gjithëpërfshirës i cenueshmërisë është kritik për identifikimin e burimeve rajonale të cenueshmërisë dhe opsionet e politikave në dispozicion për t'i adresuar ato. Për të mbështetur politikat e bazuara në dëshmi dhe të dhëna, zhvillimi i sistemit për informacionin gjeografik bazuar në bashkimin e të dhënave administrative, të dhënave të regjistrimit të popullsisë dhe hartave të varfërisë mund të sigurojë një tablo më të saktë sa i takon burimeve të cenueshmërisë në mesin e romëve. Një hap tjetër i dytë do të konsistonte në punën me disa qeveri të përzgjedhura të Ballkanit Perëndimor për të krijuar një sistem informacioni gjeografik ku informacioni do të përditësohej në mënyrë automatike. Një propozim i tillë mund të realizohet në kuadrin e mbështetjes për përgatitjen e regjistrave socialë - një bazë të dhënash për përfituesit e mundshëm të programeve të shumëfishta të ndihmës sociale - në Ballkanin Perëndimor. Hartat e varfërisë ofrojnë informacion në lidhje me performancën e mundshme shënjestruese të ndërhyrjeve gjeografike që synojnë romët. Rezultatet e hulumtimit të kryer për këtë raport tregojnë se projektet gjeografikisht të targetuara do të mbulojnë shumicën e romëve në Serbi, por jo në Shqipëri. Kombinimi i hartave të varfërisë në Shqipëri dhe në Serbi me informacionin e regjistrimit të popullsisë mbi shpërndarjen e romëve në secilin prej këtyre vendeve tregoi se në Serbi, romët janë të përqendruar në bashkitë me shkallë të lartë varfërie. Për këtë arsye, shënjestrimi i burimeve në ato zona në Serbi ku ka një shkallë të lartë të varfërisë mund t'i shërbejë edhe romëve. Në Shqipëri, romët nuk janë të përqendruar në zonat më të varfra, gjë që nënkupton se shënjestrimi i bashkive më të varfra, jo domosdoshmërisht, do të mbulonte edhe romët; prandaj, metodat shtesë shënjestruese në Shqipëri duhet të projektohen, pilotohen dhe zbatohen me kujdes. Ndërkohë që hartat e varfërisë ndihmojnë në identifikimin e shpërndarjes së varfërisë nëpër zona të vogla nën-kombëtare, ato nuk mund të përdoren në këtë kohë për të identifikuar 'xhepat' e romëve të margjinalizuar në brendësi të zonave rurale të veçuara ose qyteteve të vogla apo të mëdha. Nëse përdoret shënjestrimi gjeografik, ekziston mundësia që të lihen jashtë studimit disa komunitete rome brenda bashkive në të cilat nivelet e varfërisë janë të ulëta (gabimi i përjashtimit). Kontaktimi i këtyre komuniteteve do të kërkojë një qasje tjetër. Një agjendë politike e informuar në lidhje me faktorët etnikë e cila i udhëzon specialistët, partnerët e zhvillimit dhe politikëbërësit që kërkojnë të përshpejtojnë adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me përfshirjen e romëve duhet të mbështesë dhe vlerësojë ndërhyrjet që synojnë romët, duke përfshirë gratë rome, për të përshkallëzuar më tej praktikat e suksesshme. Politikëbërësit duhet të përqëndrohen tek komunitetet e përzgjedhura për të hartuar, pilotuar dhe vlerësuar ndërhyrjet bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare që kanë potencial për t'u shtrirë më tej në nivel kombëtar dhe rajonal. Bazuar në diagnostifikimin e kufizimeve kritike me të cilat përballen romët, si dhe në rishikimin e ndërhyrjeve të suksesshme të projektuara për të zgjidhur këtë problem, studimi i kryer për këtë raport ka identifikuar disa masa për zbatimin e politikave për të ngushtuar hendeqet etnike në secilën fushë prioritare. Masat për Zbatimin e Politikave në Fushën e Arsimit Agjenda për arsimin dhe aftësitë është ndoshta faktori me ndikimin më të madh për romët në një periudhë afatgjatë. Ndërhyrjet për zhvillimin në fëmijërinë e hershme mund të kthehen në bazën e zhvillimin njohës dhe 12 NDËRPRERJA E CIKLIT TË PËRJASHTIMIT TË ROMËVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR të shëndetit dhe produktivitetit afatgjatë. Edhe përmirësimi i cilësisë, barazisë dhe qasjes tek arsimi i detyrueshëm është po aq i rëndësishëm, ashtu si edhe zbatimi i programeve të synuara për rritjen e regjistrimit dhe të nxënit të romëve në arsimin e mesëm, siç është programi i transferimit të kushtëzuar të parave (CCT) në Maqedoninë e Veriut. Tetë janë masat e identifikuara për zbatimin e politikave që mund të ndihmojnë në ngushtimin e pabarazisë etnike në arsim në Ballkanin Perëndimor. Ato përfshijnë: (1) promovimin e përfshirjes së hershme të fëmijëve romë nëpërmjet edukimit para-shkollor të përballueshëm dhe me cilësi të lartë, (2) ofrimin e mbështetjes shtesë arsimore për fëmijët romë dhe futjen e teknikave mësimore bashkëpunuese për klasa të ndryshme, (3) sigurimin e stimujve financiarë për të nxitur regjistrimin; (4) ofrimin e mbështetjes me anë të mentorimit dhe të modeleve për nxënësit që do të kalojnë në arsimin e lartë, (5) ndryshimin e mendësive dhe aftësive social-emocionale për të përmirësuar performancën akademike, (6) nxitjen e shfrytëzimit të ndërmjetësve romë në të gjitha nivelet e arsimit, (7) garantimin që shkollat e ndjekura nga romët dhe fëmijët e tjerë të cenueshëm marrin fonde të mjaftueshme; dhe (8) adresimin e veçimit dhe promovimin e praktikave jodiskriminuese në shkolla. Masat për Zbatimin e Politikave që Synojnë Tregjet e Punës Katër janë masat kryesore për zbatimin e politikave që mund të ndihmojnë në përmirësimin e rezultateve të punësimit për popullsinë rome në moshë pune. Ato janë si më poshtë: (1) përmirësimi i aftësive dhe përvojës së punës së punëkërkuesve romë duke prezantuar mundësitë për arsimin profesional në sektorët me potencial rritjeje, së bashku me skemat përmirësuese dhe të mundësisë së dytë të arsimit ose të praktikës profesionale; (2) përshtatja e programeve aktive të tregut të punës (PATP) dhe e shërbimeve publike të punësimit (SHPP) për të ofruar shërbime më efikase për romët duke u fokusuar tek ndërhyrjet që i ndihmojnë punëtorët romë të hyjnë në tregje të ndryshme të punës, duke tejkaluar mospërputhjet sektoriale dhe hapësinore dhe duke rritur shtrirjen e shërbimeve të SHPP-së tek romët dhe të stimujve financiarë për punësimin e romëve; (3) adresimi i diskriminimit dhe i stereotipizimit të romëve në tregun e punës duke zbatuar programe të gjera që favorizojnë punësimin, duke zhvilluar fushata informimi për të rritur ndërgjegjësimin e punëdhënësve, duke ofruar informacion mbi punën me grupet e cenueshme dhe duke inkurajuar institucionet publike për t'u kthyer në model të praktikave jo diskriminuese; dhe (4) zbatimi i skemave novatore për të trajtuar kufizimet sa i takon kërkesës për krah pune dhe për të nxitur sipërmarrjen, të cilat mund të përfshijnë programet për zhvillimin e sipërmarrjes dhe të ndërmarrjeve sociale si edhe programet për nxitjen e qasjes tek skemat mikrofinancuese. Masat për Zbatimin e Politikave në Shëndetësi Në shëndetësi, tri janë masat kryesore për zbatimin e politikave që mund të ndihmojnë në përmirësimin e rezultateve shëndetësore të popullatës rome. Ato përfshijnë: (1) promovimin e vazhdueshëm të informacionit dhe ndërgjegjësimin për shëndetin nëpërmjet ndërmjetësve romë për shëndetin; (2) mbështetjen për mbulimin universal shëndetësor dhe miratimin e mbulimit financiar të faturave mjekësore për të varfërit dhe grupet vulnerabël për të nxitur përdorimin e shërbimeve formale shëndetësore, duke e vënë theksin tek kujdesi parandalues; dhe (3) ofrimin e trajnimeve ndërgjegjësuese për diskriminimin për ofruesit në fushën e mjekësisë për të zvogëluar dhe parandaluar praktikat diskriminuese. 13 NDËRPRERJA E CIKLIT TË PËRJASHTIMIT TË ROMËVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR Masat për Zbatimin e Politikave sa i takon Strehimit dhe Qasjes tek Shërbimet Thelbësore Sa i takon strehimit dhe qasjes tek shërbimet bazë, tri janë masat kryesore për zbatimin e politikave që mund të ndihmojnë në përmirësimin e qasjes tek strehimi i denjë për romët. Këto masa kërkojnë zgjerimin e gamës së mjeteve në dispozicion të qeverisë, duke përfshirë projektet dhe programet, dhe për rrjedhim zbatimin e një modeli të ri që shkon përtej ofrimit të strehimit social dhe kompensimit për strehimin. Këto masa do të përfshinin: (1) përmirësimin e kushteve të strehimit për romët në gjendje më të keqe ekonomike që jetojnë në zonat e varfëra; (2) ndihmesën për familjet e varfëra për të siguruar strehim më të mirë nëpërmjet qasjeve holistike dhe pjesëmarrëse; dhe (3) certifikimin ligjor të ndërtimit dhe zotërimit; një shembull i mirë i kohëve të fundit është ligji për trajtimin e ndërtimeve të paligjshme në Maqedoninë e Veriut. Masat për Zbatimin e Politikave për Dokumentacionin Dy janë masat kryesore për zbatimin e politikave që mund të ndihmojnë në përmirësimin e qasjes së popullsisë rome tek dokumentacioni. Ato janë si më poshtë: (1) zvogëlimi i detyrimit dhe i shpenzimeve që lidhen me regjistrimin në gjendjen civile, duke i kushtuar vëmendje të veçantë personave të zhvendosur brenda vendit (PZHBV) dhe romëve që rikthehen, tek të cilët përqindja e individëve që nuk kanë dokumentacionin e duhur është më e madhe; (2) rritja e ndërgjegjësimit në lidhje me përfitimet që rrjedhin si rezultat i regjistrimit në gjendjen civile përmes fushatave informuese si në gjuhën e shumicës ashtu edhe në gjuhën rome; ky është një faktor veçanërisht kritik në Malin e Zi për shkak të numrit të lartë të rasteve të personave të zhvendosur dhe mbulimit relativisht të ngushtë me kartat e identitetit. Masat për Zbatimin e Politikave në lidhje me Gjininë si një Temë Ndërsektoriale Meqenëse femrat rome përballen me pengesa dhe situata të pafavorshme të mbivendosura me njëra tjetrën, masat për zbatimin e politikave duhet të fokusohen tek ngushtimi i hendekut gjinor në rradhët e popullatës rome. Këto masa do të përfshinin: (1) sigurimin e stimujve shtesë financiarë në favor të frekuentimit të shkollës nga ana e vajzave, siç janë programet për transferimin e kushtëzuar të parave, CCT-të që janë më bujare në rastin e vajzave sesa në rastin e djemve; (2) fokusimin tek PATP-të për gratë rome, për shembull, duke ofruar programe trajnimi dhe punësimi në sektorin privat të cilat janë tërheqëse për ta dhe që nuk i 'kyçin' ato në sektorë që nuk kanë perspektivë për rritje; (3) reduktimin e normave shoqërore të njëanshme sa i takon faktorit gjinor, duke u fokusuar tek grupet vetë-ndihmuese dhe tek informacionet e shënjestruara si edhe tek fushatat normative për përcjelljen e mesazheve, që synojnë të ndikojnë në procesin e vendimmarrjes së vajzave rome për vazhdimin e arsimimit, shtyrjen e martesës dhe hyrjen në tregun e punës; (4) kapërcimin e kufizimeve në lidhje me përgjegjësitë e grave të reja në moshë për ofrimin e shërbimit të përkujdesjes, duke përfshirë ofrimin e shërbimeve të kujdesit për fëmijët me kosto të përballueshme dhe me cilësi më të mirë dhe CCT-të e kushtëzuara nga ndjekja e shkollës për të shtyrë në kohë martesën dhe lindjen e fëmijëve; (5) promovimin e kohezionit social duke përdorur modelin e provuar të grupeve vetë-ndihmuese. Përveç kësaj, edhe masat për të rritur ofertën, përdorimin dhe përballueshmërinë e arsimit para-shkollor, kujdesit ndaj fëmijëve dhe kujdesit për të moshuarit do të ndikonin në pjesëmarrjen e femrave në forcat e punës. 14 NDËRPRERJA E CIKLIT TË PËRJASHTIMIT TË ROMËVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR Masat për Zbatimin e Politikave mbi Diskriminimin si një Temë Ndërsektoriale Diskriminimi, paragjykimi dhe stereotipizimi kërkojnë ndërhyrje në të gjithë sektorët. Disa nga masat e propozuara më lart adresojnë diskriminimin në sektorë të veçantë. Masat e tjera të propozuara nga Banka Botërore në Rumani mund të pilotohen edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Këto masa përfshijnë: (1) ngritjen e sistemeve të ndihmës dhe shërbimeve në njësitë administrative vendore për viktimat e diskriminimit që mund t'i ndihmojnë ata edhe për të shfrytëzuar mundësitë e tyre ligjore, dhe (2) futjen në përdorim të një mekanizmi mbikëqyrës për zbulimin dhe zvogëlimin e stereotipizimit ndaj romëve në media. Rruga Përpara: Ndëprerja e Ciklit të Përjashtimit të Romëve përmes një Qasjeje të Integruar Ajo që nevojitet për t'i dhënë fund fenomenit të përjashtimit të romëve është një qasje gjithëpërfshirëse dhe e integruar që adreson të gjitha pengesat që hasen gjatë gjithë ciklit të jetës. Një qasje e integruar siguron trajtimin në mënyrë holistike të pengesave të shumta me të cilat përballen romët përmes ofrimit të shërbimeve thelbësore, përfitimeve sociale dhe ndërhyrjeve të fokusuara. Një qasje e tillë kërkon përpjekje të koordinuara në sektorë të shumëfishtë, duke përfshirë qeveritë dhe anëtarët e komunitetit. Për të bërë të mundur realizimin e një përpjekjeje të koordinuar, menaxhimi dhe ofrimi i shërbimeve duhet të sigurojnë identifikimin në kohë të grupeve të cenueshme, vlerësimin e shpejtë të nevojave dhe ofrimin e shërbimeve të përshtatura. Për të siguruar qasjen e integruar është e nevojshme që të zbatohet edhe qasja për menaxhimin e rasteve sa i takon ofrimit të shërbimeve. Komunikimi dhe kontaktimi aktiv me komunitetet rome është një element thelbësor. Diagnostikimi i cenueshmërisë është një hap i nevojshëm në arritjen e shërbimeve të përshtatura. Identifikimi i burimeve rajonale të cenueshmërisë në arsim, shëndetësi, tregje pune, strehim e kështu me radhë është çelësi për hartimin e një kombinimi optimal të politikave, programeve dhe shërbimeve për integrimin e romëve dhe grupeve të tjera vulnerabël. Duhet bërë përpjekje për të vlerësuar nëse kombinimi aktual i politikave është projektuar mirë dhe nëse është e përafruar me profilin e cenueshmërisë të popullatës së synuar, domethënë me profilin e romëve dhe grupeve të tjera vulnerabël. Analiza e inventarëve të programeve sociale mund të kontribuojë në një qasje më sistematike ndaj mbrojtjes sociale. Një analizë e tillë mund të ndihmojë për të përcaktuar (1) nëse plani i programit është në një linjë me pengesat dhe kufizimet me të cilat përballet popullsia e shënjestruar, dhe (2) nëse janë përjashtuar grupet e cenueshme, për shembull, për shkak të kërkesave të rrepta të për të qenë të kualifikueshëm si përfitues apo vendndodhjes së pafavorshme gjeografike. 15